Ndryshojnë procedurat për qiratë e pronave shtetërore dhe kontratat 1 euro
Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime për qiratë e pronave shtetërore, duke digjitalizuar procedurat dhe forcuar kontrollin e kontratave.
Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në Vendimin nr. 54, datë 5 shkurt 2014, që rregullon dhënien me qira ose enfiteozë të pronave shtetërore. Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet synojnë të rrisin transparencën, të përshpejtojnë procedurat administrative dhe të forcojnë kontrollin mbi administrimin e pasurive shtetërore.
Aplikimet do të bëhen elektronikisht
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me mënyrën e aplikimit. Bizneset dhe subjektet e interesuara nuk do të dorëzojnë më dokumentacionin fizikisht, por vetëm në adresën elektronike zyrtare të institucionit përgjegjës.
Sipas qeverisë, kjo masë do të reduktojë kostot administrative, do të shmangë vonesat dhe do të rrisë transparencën, pasi çdo dokument do të regjistrohet elektronikisht. Megjithatë, pas shpalljes së fituesit, subjekti do të jetë i detyruar të paraqesë dokumentet origjinale për verifikim, me qëllim garantimin e sigurisë juridike dhe shmangien e abuzimeve.
Komisione me specialistë ligjorë dhe teknikë
Vendimi ndryshon edhe përbërjen e komisioneve që shqyrtojnë ofertat. Krahas përfaqësuesve administrativë, në to do të përfshihen edhe specialistë ligjorë dhe teknikë, me synimin që procesi i vlerësimit të jetë më profesional dhe të kufizohen interpretimet subjektive.
Po ashtu, përcaktohen afate të qarta për shqyrtimin e ofertave, shpalljen e fituesve dhe trajtimin e ankesave.
Rregulla më të forta për procedurat pa garë
Ndryshimet saktësojnë gjithashtu terminologjinë ligjore, duke zëvendësuar termin "tokë e pafrytshme" me "tokë inproduktive", në përputhje me legjislacionin për administrimin dhe mbrojtjen e tokës.
Projektvendimi vendos edhe kritere më të forta për ofertat e pakërkuara dhe procedurat pa garë. Pronat shtetërore do të mund të jepen drejtpërdrejt vetëm në rastet e parashikuara shprehimisht në vendim, ndërsa çdo përjashtim nga procedura konkurruese duhet të argumentohet në mënyrë të detajuar nga institucionet përgjegjëse.
Rregulla të reja për kontratat me tarifë simbolike 1 euro
Një tjetër ndryshim prek kontratat me tarifë simbolike 1 euro. Kur prona shtetërore ndodhet në zona turistike ose në zona të mbrojtura mjedisore, propozimi për dhënien e saj duhet të bëhet bashkërisht nga institucioni administrues i pronës dhe institucioni përgjegjës për turizmin ose mjedisin.
Relacioni shpjegon se kjo masë synon të përmirësojë koordinimin institucional dhe të rrisë kontrollin mbi zhvillimin e këtyre zonave me rëndësi të veçantë.
Monitorim më i rreptë dhe e drejtë parablerjeje
Vendimi forcon edhe mekanizmat e monitorimit të kontratave ekzistuese. Në rastet kur subjektet nuk bashkëpunojnë gjatë kontrolleve për zbatimin e kontratës, njësitë monitoruese do të kenë të drejtë të propozojnë ndërprerjen e saj.
Njëkohësisht, projektvendimi parashikon që qiramarrësit ose enfiteozmarrësit që kanë investuar dhe kanë rritur vlerën e pronës shtetërore të gëzojnë të drejtën e parablerjes në rast se prona privatizohet.
Ndryshimet zgjerojnë gjithashtu mundësinë që kontratat ekzistuese të lidhura edhe nga bashkitë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore të kalojnë në kontrata me tarifë simbolike 1 euro, pasi të verifikohen kushtet nga ministria përgjegjëse për ekonominë.
20% e të ardhurave do t'i kalojnë Ministrisë së Ekonomisë
Sipas relacionit, vendimi nuk krijon kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Megjithatë, ai parashikon që 20% e të ardhurave të krijuara nga kontratat e qirasë dhe enfiteozës të lidhura nga ministria t'i kalojnë Ministrisë së Ekonomisë.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)